TRADHETIA E DYTE NDAJ KOMANDANT TELIT

[new.gif]


TRADHETIA E DYTE NDAJ KOMANDANT TELIT

Nga KOLEC TRABOINI

Vendimi absurd i organeve gjyqësore të Tiranës, të njohura tashmë për drejtësinë e cunguar dhe korrupsionin, siç me të drejtë vë në dukje një anketim i ditëve të fundit nga një qendër studimore, për flakjen në rrugë prej një banese që ka qënë bazë e UÇK-së të familjes së luftëtarit të shquar, Dëshmor i Atdheut, Komandant Teli, ka gjetur jehonë të gjerë në opinionin publik në Kosovë e Maqedoni. Mediat shqiptare të Prishtinës e Shkupit i kanë kushtuar një kujdes të veçantë. Janë me qindra lexues që në komentet e tyre shprehin indinjatën për këtë vendim absurd që po ndodh në Tiranë nën indiferencën totale të mjeteve të informimit, por edhe të autoriteteve shqiptare.
Nuk gjen as një gazetë apo stacion televiziv në Tiranë të ketë trajtuar këtë problem sikur ajo çfarë po ndodh nuk është në mes të kryeqytetit, por diku në ndonjë pikë tjetër të globit. Bashkëshortja e Komandant Telit është përpjekur të takojë autoritetet shqiptare, por ka qenë e pamundur, nxirren njëqind arsye për të shmangur takimet, duke thënë madje edhe se axhenda e aksh titullari është për tre muaj e zënë, apo edhe më keq kur në Këshillin e Lartë të Drejtësisë e përcjellin tek një zyrtaruc i vogël i cili e këshilloi të bëjë një ankesë tek një avokat (kur avokatët e saj e braktisën çështjen), e të bëjë kështu e ashtu, sikur të mos e kuptonte se gjendja është e jashtëzakonshme dhe nuk është një proçedurë që kërkon ditë pa fund, sepse fëmijët nuk mund të rrinë në rrugë.
Pse hesht shtypi shqiptar, çfarë problemesh ka media më të rëndësishme se jetët njerëzore. A e dinë këto media çfarë flitet në popull. Se dikur para disa vitesh një prej qeveritarëve të lartë i dhuroi një këngëtareje një apartament për “kontribut” shoqëror. Se çfarë kontributi ka qënë ai një zot e di, por njerëzit e dinë mirë e flasin për ca gjëra të çuditshme deri në kufinjtë e intimitetit. Tani kjo medja të na shpjegojë se cili kontribut qenka më i rëndësishëm, ai i një këngëtareje me vokalica nëpër koncerte qeveritare apo të japësh jetën për Atdhe. E megjithatë kjo paçavure media hesht. Kjo media e përdalë, kjo prostitutë ideologjike nuk i dhemb fare se çfarë ndodh me njeriun. Nuk i dhemb fare se heroin e UÇK-së po e vrasin tradhtisht për herë të dytë, po kësaj radhe jo në Gazi Babë të Shkupit, por në mes të Tiranës nën indiferencën e tërë hallkave e strukturave të shtetit shqiptar.
Kjo Tiranë me mediat e veta sikur jeton në delire, sikur nuk është pjesë e realitetit, por fluturon në qiej të trëndafiltë. Për këtë Tiranë ka shumë rëndësi se si një këngëtare e shpullosi kolegen e saj dhe mbushen gazetat, apo se si u bënë gjyqet e qyqeve të komunizmit e si ja rrasën njëri tjetrit ujqit e Byrosë Politike(bythë e plasur). Për këtë Tiranë që mendohet të jetë truri e zemra e Atdheut kanë më shumë rëndësi se kush do ta marrë atë dreq kolltuku të kryetarit të bashkisë dhe jo se kush prej kandidatëve do të ishte potencialisht më i mirë për të zgjidhur problemet e hallet e popullit. Sepse e di mirë media shqiptare se Kryetarët në Shqipëri nuk zgjidhen fare për popullin, por për të bërë pirueta politike. Nuk zgjidhen njerëz që i vënë gjoksin punës, por ata që dinë të bëjnë allishverishe e korrupsione marramendëse.
Kjo Tiranë kryeneçe nuk do të dijë fare për ndjesi atdhetare e njerëzore por veç për kurvëritë politike, aq sa lë pa mend për indiferencën e saj edhe edhe kryetarin e organizates se veteranëve të luftës OVL të UÇK-së në Maqedoni, Besim Hoda, i cili me ta marrë vesh këtë skandal të gjyqit absurd të Tiranës, erdhi pranë familjes duke i premtuar të bëjnë ç`të jetë e mundur që kjo familje të mos dalë në rrugë të madhe, se është një turp kombëtar. Por, ai tha gjithashtu një gjë të vërtetë e fort therëse e tronditëse: - Do të përpiqemi ta zgjidhim këtë çeshtje në mes të Shkupit e Prishtinës se nga Tirana nuk kemi asnjë shpresë. E vërtetë përvëluese, drithëruese dhe tronditëse. Tirana që duhej të ishte qendra e shqiptarëve atdhetare të gjithë botës është bërë një fole karrieristësh, mafiozësh, të korruptuarish, që bëjnë luftë të përbindshme për kolltukë, që nuk flasin asnjë fjalë për ekonominë, por për ideologjinë shterpë sikur këtu të ishte kërthiza politike botës. Me të drejtë i madhi Aristidh Kolia ka thënë, jo shumë kohë para se ta vrisnin grekët në 2000, se Tirana e ka humbur shansin historik të bëhet kryeqendra e shqiptarizmës e se kjo tashmë do ti takojë Prishtinës. Ky realitet është mjerimi i gjallë i politikave mediokrre dhe i politikaneve tartabiqë që janë kthyer në parazitë kombëtar. Sikur të bëhej një analizë për bagazhin intelektual e krijues të deputetëve të parlamentit shqiptar do të kishim kurrgjë më shumë se një grumbull statistikash të një grupimi amorf në nivelin e kryesive të koperativave bujqësore socialiste të monizmit. Dihet se shumica e deputetëve janë injorantë, të pasuruar vrullshëm nëpër punë të pista, nëpër llagëmet e shoqërisë dhe i kanë marrë diplomat me ryshfete apo të blera, kusuri me tarafe. Ky soj deputetësh pa pike personaliteti shoqëror, nuk e kanë për gjë të dalin nëpër metingje duke hëngër fara luledielli në mes të një shoqërie ordinere, kjo skotë me kostum e me kollaro nuk e kanë për gjë të shahen e të shtyhen në parlament apo kafeneve si karrocierë apo brigadierë zifti.
Pas gjyqit skandaloz të Tiranës që mund të bëhej veç në vendet afrikane, apo diktatoriale ku pala ndaj të cilës bëhet ankimi nuk thërritet, vjen absurdi tjetër që zyra e përmbarimit e shtyn edhe 4 ditë e të thotë me datën 6 korrik, dua çelësat e shtëpisë të blerë me paratë e UÇK-së prej deputetit të Vetvendosjes Florin Krasniqi, ndryshe bashkëshorten e dy fëmijët e vegjël të dëshmorit të Atdheut, komandant Teli, do t`i nxjerrim me police nenkuptohet me dhunë. Por këta trushkulurit e përmbarimit nuk e kanë thënë nëse policët ndaj fëmijëve a do të përdorin armët nëse ata nuk pranojnë të dalin në rrugë. Nuk u kanë thënë gjithashtu a do përdorin plumba luftarakë apo mësimorë nëse lind nevoja. Çfarë do të bëjë ky përmbarim e kjo polici nëse familja e Dëshmorit të Atdheut refuzon të dalë sepse bashkëshortja e komandant Telit na tha këtë fjalë me porosi për t`ia drejtuar medias në Prishtinë e Shkup, sepse medias shurdhe të Tiranës është kot t`i flasësh: “Nëse ndonjë tradhtar që vrau Komandant Telin në 2001 po e nxit tërë këtë histori e barbarizëm ndaj familjes së tij sot pas 10 vjetësh, po ju themi: Nuk dalim! Të paktën unë gjallë prej këtej nuk dal sa kohe që gjyqi nuk bëhet publikisht i hapur dhe në praninë time Ejani dhe na vrisni. Plotësoni çfarë keni lenë përgjysëm. Vriteni për herë të dytë Komandant Telin, sepse nuk paskeni të ngopur me tradhtinë e mizorinë tuaj. I bëjmë thirrje Ali Ahmetit të mos bëjë sikur nuk po di çfarë po ndodh me ne, por të bisedojë me Prishtinën dhe të gjej një zgjidhje e të mos ndodhë sërish ajo çfarë ndodhi në Gazi Babë që është plagë në zemrën e çdo shqiptari në Maqedoni.”
Padyshim se vëmendja e shumë njerëzve është drejtuar nga formacioni politik që drejton Albin Kurti, shumë ish luftëtarë të UÇK-së po kërkojnë në komentet e tyre në faqet elektronike të medias që të distancohet prej deputetit të partisë së tij, Florin Krasniqi, nëse nuk gjen mirëkuptim në zgjidhjen e problemit. Por Albin Kurti po hesht. A nuk po e kupton Albin Kurti se u ka dashtë të jetë tek kjo familje ne Tiranë me t`u botuar lajmi i parë për bëmat e deputetit të tij. Të vinte të shihte çfarë po ndodh, e jo të lëshonte ithtarët e tij duke e konsideruar tërë këtë si një manipulim politik i partive të tij kundërshtare. Nuk po e kuptojmë këtë heshtje të tij, kur ai përdor në mitingje aq shumë sllogane nacionaliste për Bashkimin Kombëtar. Po komandant Teli ishte luftëtar i kësaj ideje të madhe e për këtë dha jetën. Me të drejtë njerëzit në Tiranë, Prishtinë e Shkup po pyesin mos vallë disa forca politike po spekullojnë me ndjesitë kombëtare të njerzve dhe i përdorin ato për qëllime demagogjike populiste. Por politika të ketë kujdes se nuk luhet lojë kukafshehti me ndjenjat atdhetare të shqiptarëve.
Heshtja nga media e Tiranës, nga autoritete zyrtare dhe partia e Vetvendosjes tregojnë se në thelbin e tyre nuk ka kurrgjë kombëtare, se janë si tollumbacet ku vizatohen simbolet e shqiptarizmit dhe lëshohen t`i marrë era në qiell.
Kush dëshëron të ndihmojë familjen e Komandant Telit, ju kujtojmë se familja ka këto numura llogarie:

Kodi SWIFT :FEFAALTR
Emri i bankes :ProCredit Bank , Albania
IBAN : AL15209111080000103178050102 (per transfertat ne Euro)

Nr.telefonit cel. +355-684-628-930
Te gjithe emrat e dhuruesve do te botohen tek faqja elektronike e komandant Telit
http://komandant-teli.blogspot.com/