🔴 HESHTJA E SHTABIT- FRIKË APO TRADHTI?- nga K.P. Traboini


HESHTJA E SHTABIT- FRIKE APO TRADHTI?
Masakra në Gazi Babë, Shkup 7 gusht 2001 e quajtur nga populli dhe ish luftëtarët "Tradhtia e madhe"
Dy pistat e vrasjes së Komandant Telit me 5 bashkëluftatarët e tij, pra vrasje politike apo hakmarrje personale me derivatin e tretë ku këto pista si dy shina treni bashkohen fatalisht e tradhtisht e krijojnë tragjedinë, ekziston dhe janë të besueshme në të treja këto aspekte, sa kohë që nuk është zbardhur e vërteta dhe sa kohë që ata që ishin direkt apo indirekt, me dëshirë apo pa dëshirë, me faj apo pa faj ishin të implikuar në këtë ngjarje. Por së pari të flasim për rrethanat që janë si një prolog tragjik i orëve të para të mengjezit të 7 gushtit 2001 në Gazibabë të Shkupit. Ish koha kur kishin nisur bisedimet për paqe dhe kishte një farë statukuoje armëpushimi, në pritje të një marrëveshje të ndërmjetsuar nga ndërkombëtarët. Le të kujtojmë gjithashtu dy presionet që u janë bërë Shtabit të UÇK-së nga ndërkombëtarët dhe shteti maqedon që armëpushimi e paqja do të ketë si kusht dorëzimin e armëve dhe dorëzimin e atyre që ishin përzier në krime. Kjo e fundit ka qënë një lojë dinake sepse në këtë klauzolë përfshiheshin të gjithë, se fundja ku ka luftë pa krime, vetë lufta në aspektin human është një krim se vret. Pra duke lozur me këto fjalë me siguri që atyre që negoconin u janë parashtruar këto kushte me presion. Pa hyrë në hollësi se si e pse u nis Teli në Shkup, pse ai dhe jo një tjetër, (që do të shqyrtojmë në një shkrim në vete) mund të themi se nisja fatale e Komandantit Telit, luftëtarit më të sprovuar për në Shkup, i ka të gjitha mundësitë të ishte edhe në kuadrin e dorëzimit të atyre që quheshin se kanë bërë krime, gjithnjë sipas pikpamjes së maqedonasve mbi krimin kur ata vetë kishin bërë krime të përbindëshme mbi shqiptarët e nuk po i hynte ferra në këmbë. Emrin e Telit e kanë vënë në krye në kerkesat e tyre, sepse ai ka qënë tmerri i ushtrisë e policisë maqedonase. Vetëm me një aksion personal pa pyetur për shtab-komandën, Teli me shokët e vet besnikë të njësitit vrau brënda një nate 30 ushtarë maqedonë. Pra, thënë hapur, duke patur urrejtjen e shfrenuar të maqedonasve dhe armiqësinë e disa antarëve të shtabit (jo më kot shtabistët kishin nxjerrë urdhër për ta arrestuar por komandantin e mbrojtën ushtarët e UÇK-së) ai ka qënë i skeduar për tu sakrifikuar. A ka këtu një skenar. Janë të gjitha mundësitë. Por atij që më shumë i ka dhëmbur kjo histori ka qënë padyshim Komandant Hoxha-Nezir Shaqiri tek i cili Komandant Teli kishte besim të verbër,besim që në rrethana lufte ishte motivuar sepse Komandant Hoxha e ka ndihmuar Telin në konfliktet që ishin krijuar me Komandant Malen- Maliq Ndreca. Por Komandant Hoxha, miku i Komandant Telit, i cili e ngarkoi atë me misionin e Shkupit nuk flet. Dhe duke e njohur mirë psikologjinë e ish shtabistëve e rrethanat që janë krijuar janë gjasat që megjithë deklarimet se ai do te flasë kurrë nuk e ka hapur gojën për të thënë të vërteten. Dhe gjasat janë që nuk ka për të folur kurrë sepse në këtë punë janë mpleksur edhe të tjerë. Komandant Hoxha nuk thotë as se kujt ja ka besuar sekretin e lëvizjes së Telit për në Shkup. Më tej a i ka lajmëruar eprorët e tjerë për këtë mision, të cilët, mbase të lodhur nga lufta do të kenë vënë duart në kokë të tmerruar. Dhe dihet pse. Një aksion i Telit në Shkup do të ishte një veprim që do të terhiqte vemendjen e ndërkombëtarëve dhe statukoja do të prishej.Ata me këtë rast do të gjëndeshin nën akuzë prej ndërkombëtarëve. Pra vetë shtabi e inicoi nisjen e Telit në Shkup dhe vetë ky shtab e denoncoi. Eshtë njësoj sikur ti japësh dikujt një bombë për ta vënë diku dhe pas tre kater hapave ta plasësh bombën me telekomandë në duart e njeriun të cilit ja ke dhënë. Krejt kështu ka ndodhur me këtë mision të inicuar nga shtabi. Tani çfarë mund të themi e ka vrarë bomba njeriun apo e vranë ata që inicuan shpërthimin?! Natyrisht këtu në sakrifikimin e këtij luftëtari legjendar mund të kenë ndikuar edhe disa rrethana të pafavorëshme për të. Në një kohë të shkurtër ishte bërë një komandant i lavdishëm. Ka fakte që ushtarët maqedonas sa i afroheshin rajoneve të çliruara të UÇK-së, me të dëgjuar një krisëm pushke, ktheheshin me vrap duke thënë në gjuhën e tyre “Të ikim se po vjen komandant Teli”. Nga ana tjetër armiqësia personale ndaj tij dhe cmira për lavdinë e krijuar. Por një gjë dihet, për Komandant Telin ushtarët e njësitit të tij, por edhe më gjërë, linin kokën sepse ai ishte jo vetëm trim i jashtëzakonshëm por edhe shumë njerëzor. I donte e i mbronte luftëtarët e thjeshtë ndërkohë që kishte ndonjë komandant famekeq që i rrihte. Kjo nuk është një shpifje por dëshmi e ish ushtarëve të UÇK-së. Pra të gjitha pistat të çojnë në Shtab dhe jo tek një kokë e vogël shtabi por në kokat më të mëdha. Ata e nisën dhe e bitisën atë aksion turpi. Kurrësesi njësiti i Telit nuk shkoi në Shkup me inisiativen e vet por mori detyrë dhe ata që i dhanë atë detyrë kishin një platformë.Po pse nuk e thonë se cili qe qëllimi. Një zë është, por ai nuk vjen nga shtabi por nga një luftëtar i thjeshtë që thotë se kishte në shtab që donin të dërgonin njësitët në Shkup sepse nuk pranonin dorëzimin e armëve. Po nëse nuk donin dorëzimin e armëve, ku mund të ishin më të sigurta armët në duart e luftëtarëve në Slupçan, Mateç, Likovë, Hotelë apo në Shkupin e kontrolluar aq rreptë nga policia maqedone? Do të thosha, pa pikë droje se e tejkaloj kufirin e respektit ndaj këtyre figurave të nderuara se, pse nuk është pronuncuar asnjë herë për çka ndodhi Gëzim Ostreni? Pse as Faslli Velija nuk dimë të ketë bërë ndonjë aludim a të ketë ngritur zërin për të akuzuar dikë.A për tu thënë se keni gabuar dhe keni marrë në qafë njësitin me 6 luftëtarë. Thuhet se është bërë një hetim nga shtabi, por një hetim në të cilin janë përfshirë vetë ata që e dinin misionin e dekonspiruar të Komandant Telit dhe njësitit të tij. Ali Ahmeti as nuk vihet në dyshim që nuk do të flasë kurrë për këtë çeshtje sepse është vezë e nxehtë nën sqetullat e politikës E çfarë mund të thotë? As komandant Hoxha që ka çfarë të thotë nuk ndjehet.Sikur asgjë të mos kish ndodhur. As Maliq Ndreca nuk ka çfarë të pohojë për armiqësine e tij të çuditshme me luftëtarin më të spikatur të UÇK-së për Maqedonin. Mendojmë se gjithë këta shtabistë anipse tashmë të përçarë politikisht u ka plasur grindje e sherri me njëri tjetrin, në një gjë janë të një mendje e të një bese, të mos kujtojnë litarin në shtëpinë e të varurit. Të gjithë heshtin. I vetmi që foli dhe akuzoi antarët e shtabit për këtë tradhti ishte denoncimi publik i Ridvan Nezirit një luftëtar e komandant i UÇK-së, i cili përfundoi i vrarë në mes të ditës e në mes të Shkupit në vitin 2003. Pra mesazhi ishte i qartë, kush flet vritet, kush ka guximin të thojë të vertetën, kryqëzohet. Me këtë nuk duam të themi se Ridvan Neziri kishte apo jo të drejtë, por akti i vrasjen së tij e të 3 vetëve të tjerë prej segmente policore në bashkëpunim me shqiptarë që punojnë për policinë e fshehte maqedonase, treguan se hapja e dosjes “Teli “kërkon shumë kokë luftetarësh. Gjithësesi qoftë e verteta e sado mizorë të jenë në zhdukjen e dëshmitareve duke përfshirë dhe njeri-tjetrin, ata nuk do të mund ta mbulojnë të vertetën. E verteta nuk mund të varroset bashkë me viktimat. Nuk ka varr që e zë të verteten. Vrasja barbare e Telit dhe e shokëve të tij të njësitit në gjumë, para se një akt mizor i falangave maqedonase është një plagë e një turp që do ti ndjekë si hije të gjithë ata që diçka dinë e nuk rrefehen sa të jenë gjallë. Mbase do të rrëfehen në ferr. Gjithësesi ta analizojmë, nuk kemi në këtë masakër as dhe një fakt se për rrjedhjen e informacioneve ka dorë a është zbulim i shërbimeve inteligjente maqedone, sepse tre personave, që fillimisht dinin ditën orën, vëndin dhe misionin e trimave që u nisën për në Shkup, pra Komandant Hoxhës, Myrteza Islamit,(nën toger), por edhe Milazim Arifit (baba dëshmori dhe luftëtar i UÇK, që pranon të dëshmojë burrërisht çfarë di), nuk besojmë se sherbimi inteligjent maqedonas u kishte vënë ndonjë mikrofon në xhep dhe i përgjonte. Fjala ka dalë nga goja. E goja e ka shitur komandant Telin e njësitin e tij tek sherbimi sekret maqedonas nën pretekstin e evitimit të një akti terrorist, kur në mes të dy palëve në konflikt vendosej paqa. Pra Teli u bë kurban për paqen që ndodhej në tryezen e Ohrit. Shtabi e shtabistët nuk kanë as dhe një alibi të vetme për tu mbrojtur nga stuhija e 10 vjet fjalë,shqetësime, akuza,mallkime për turpin e madh të tradhtisë së Shkupit natën e 7 gushtit 2001. Ata që e kanë bërë spiunimin e tradhtinë mbase nuk kanë menduar se puna do të arrinte në një masakër të përbindëshme duke i vrarë njerëzit në gjumë, sepse mund tu jenë dhënë premtime se thjeshtë do të bënin neutralizimin e njësitit. Fakti që e kanë propoganduar aq shumë në shtyp këtë masakër, si fitorja më e madhe e maqedonasve mbi UÇK-në, do të thotë se çdo gjë është e parapergatitur. Në tryezen e bisedimeve në Ohër në vend që Gëzim Ostreni a Faslli Velia apo kush tjetër ka qënë atje, të tërhiqej e të riniste lufta, si presion për më shumë të drejta, përkundrazi kanë ulur kokën dhe kanë pranuar një kompromis i cili nuk premtonte më shumë se sa të qënurit të shqiptarëve një minoritet me një farë identiteti, por kurrësesi shtet formues. Nënteksti i triumfit të maqedonasve në Ohër duket botërisht, ju vramë komandantin më të shquar, vramë 6 luftëtarë pa na hyrë ferrë në këmbë, firmosni tani e hidhni vallen tonë se s’ka rrugë tjetër. Dhe ashtu bënë burrat e kombit duke i lënë luftëtarët në baltë. E sotmja tregon më së miri drejtësinë apo padrejtësinë e veprimeve të djeshme dhe parë në këtë sy, Marrëveshja e Ohrit është një dështim. Sot pas një dekade as në Maqedoni por as në Shqipëri autoritetet shqiptare nuk e zënë në gojë këtë masakër, shtypi e anashkalon, media TV as që e prek sepse është si nje prush nën hi për duart e politikanëve shqiptarë, dhe kështu ata që duhej të konsideroheshin heroj e dëshmorë nuk merren në konsideratë kurrkund as në Tiranë e as në Shkup. Eshtë t’u thuash këtyre derdimënëve që bëjnë politikë bythabrekë me, more njerëz përse luftoi aq heroikisht Komandant Teli ynë? A ka kush të flasë e të thojë dy fjalë për këto djem, të shprehë dëshpërimin e thellë të babait e nënës së Komandant Telit që jetojnë varfërisht në një fshat të thellë ku bashkohen e ndahen Berati me Skraparin e ku prehen eshtrat e luftëtarit legjendar? Duke i bërë jehonë kësaj ngjarje “Masakras se Shkupit”, sa tragjike aq të turpshme në të cilën u vranë, Komandant Teli- Lefter Goxhaj nga Nishova e Shqipërisë 33 vjeç, Abaz Beqiri nga Haraçina e Shkupit 38 vjeç e baba i 6 fëmijëve, Ndriçim Kozhaj,nga Librazhdi 30 vjeç, Pajtim Roçi nga Kruma e Hasit 21 vjeç, Arben Bajrami nga Bojana e Shkupit 24 vjeç e Adem Hasani nga Hasanbegu i Shkupit 22 vjeç, duam  të tërheqim vemëndjen për një akt të turpshëm e mizor që nuk ka të bëjë me cilësitë e shqiptarit si besa e burrnia, por me pabesinë e tradhtinë e njerëzve pa karakter e pa dinjitet. Kush hesht sot për këtë masakër, siç kanë heshtur shtabistët prej 10 vjetësh, direkt apo indirekt në opinionin publik dhe para ish ushtarëve trima të UÇK-së, që sakrifikuan shumë e fituan shumë pak, ai pra i heshturi e pranon se është pjesë apo segment i kësaj tradhtie.
 
© KOLEC TRABOINI
8 gusht 2010 
 
Nuk lejohet kopimi apo ribotimi në shtyp apo në mjete elektronike pa lejen e autorit. Për çdo problem drejtohuni: traboini@yahoo.com

Komandant Teli u shit te trupat speciale maqedone

Komandant Teli u shit te trupat speciale maqedone

Për ekzekutimin e Komandant Telit dhe pesë ushtarëve të tij, menjëherë pas ngjarjes u akuzuan bashkëpunëtorë dhe agjen
të të shërbimit sekret shqiptar(SHISH). Masakra e Gazi Babës, e njohur me emrin "tradhëtia e madhe" vazhdon të jetë një enigmë që nuk është zbardhur as sot, afro gjashtë vjetë nga mesnata e 7 gushtit 2001, kur forcat speciale maqedone të famëkeqit Lube Boshkovski, masakruan Lefter Goxhajn, Pajtim Rocin, Ndriçim Koxhajn, Adem Hasanin, Arben Bajramin dhe Abaz Beqirin. Komandant Teli kishte qenë tmerri i ushtrisë maqedone në betejat më të ashpra me trupat e UÇK-së, por ai ra në duart e tyre tre ditë pasi ishte firmosur armëpushimi i 4 gushtit dhe 6 ditë përpara se të firmosej marrëveshja e Ohrit, e cila do të ishte themeli i shtetit të ardhshëm të Maqedonisë. Autoritetet maqedone e cilësuan vrasjen e tij si suksesin më të madh të gjithë luftës me guerriljet shqiptare, madje nuk ngurruan ta etiketonin si një terrorist që kishte hyrë në Shkup për të sabotuar firmosjen e marrëveshjes së Ohrit një javë më pas.

Dyshimi Mënyra se si ndodhi ngjarja dhe kapja krejtësisht në befasi e komandantit të njësisë elitë të UÇK-së dhe truprojave të tij shpjegohet me faktin se dikush i mirëinformuar për lëvizjen e Telit, e kishte shitur atë të trupat speciale maqedone. Në të vërtetë as pas dhjetë vitesh nuk është e qartë pse u tradhëtua Komandant Teli ? Versionet pas ngjarjes ishin disa. Një prej tyre kishte të bënte me faktin se Goxhaj duke qenë një nga komandantët më të vendosur në luftimet në terren, kundërshtonte me forcë firmosjen e marrëveshjes së Ohrit me shtetin maqedonas, ujdi kjo e arritur me ndërhyrjen e shërbimeve sekrete amerikane. Në të vërtetë 6 ditë pas vrasjes së tij, përfaqësuesit e shqiptarëve të Maqedonisë e firmosën marrëveshjen dhe ranë dakort për çarmatimin e trupave të UÇK-së në kuadër të operacionit të NATO-s me emrin e koduar "Korrje të domosdoshme". Telashi Versioni tjetër ka të bëjë me faktin se, Goxhaj ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për krime të rënda në Greqi e Shqipëri. Emri i tij ishte në listën e kuqe të personave më të kërkuar nga Interpoli, në 178 shtete të botës. Pasi kishte marrë pjesë në luftën për çlirimin e Kosovës, në konfliktin e Luginës në Preshevës dhe në konfliktin shqiptaro-maqedonas, për Goxhajn nuk kishte alternativë tjetër veçse të kthehej në vendlindjen e tij. Kthimi i tij në atdhe, me statusin e një heroi dhe një komandanti me reputacion të padiskutueshëm do të sillte kokëçarje të mëdha për autoritetet shqiptare ndërkohë që ai kishte mbi supe dy burgime të përjetshme. Për ti paraprirë dhe një telashi të tillë, u hodh dyshimi se Goxhaj dhe ushtarët e tij u shitën nga një kombinim i shërbimit sekret shqiptar. Nga dyshimi për tradhëtinë e Gazi Babës nuk janë përjashtuar as disa prej komandantëve në terren të UÇK-së. Pavarsisht akuzave të ngritura deri tani, asnjë prej tyre nuk është provuar dhe askush si andej kufirit ashtu dhe këtej kufirit nuk është i interesuar ta zbardhë "tradhëtinë e madhe të Gazi Babës", ndodhur mesnatën e 7 gushtit 2001.

Artan Hoxha

http://www.zeriikosoves.org/index.php?option=com_content&view=article&id=1350:komandant-teli-u-shit-te-trupat-speciale-maqedone&catid=1:politike&Itemid=2

Familja e Komandant Telit në krizë të thellë


Familja e Komandant Telit në krizë të thellë

in Maqedoni TopTemat by Redaksia — January 8, 2012

Bashkëshortja e Komandant Telit, Rabija me dy fëmijët – djalin Letjani dhe vajzën Rexhina, këto ditë po qëndrojnë në Maqedoni duke kërkuar lëmoshë për tejkalimin e situatës së rëndë në familjen e tyre – mungesën e vendbanimit. Që nga korriku i vitit të kaluar, fëmijët dhe bashkëshortja e Komandant Telit nga Nishova e Skraparit kanë ngelur edhe pa strehë mbi kokë

http://faktiditor.com/wp-content/uploads/2012/01/111Lajmi-12-300x240.jpgShkup/Gostivar - Të gjendur në një situatë të palakmueshme dhe të vështirë, pa mbështetja nga askush, familja e dëshmorit Lefter Goxhaj i njohur në luftërat e Kosovës dhe Maqedonisë si Komandant Teli, kanë zgjatur dorën e lëmoshës. Me muaj të tërë, fëmijët dhe bashkëshortja e komandant Telit nga Poliçani i Beratit, kanë ngelur edhe pa strehë mbi kokë. Pasi ishin larguar nga banesa ku kishin jetuar prej vitesh në Tiranë, familja e Komandant Telit vazhdon të endet rrugëve pa pasur një adresë banimi, shkruan gazeta e Shkupit ‘Koha’ në numrin e saj të fundit.

“Kemi mbetur të pastrehë dhe pa asnjë ndihmë ekonomike. Që nga muaj korrik i vitit të kaluar, ne po jetojmë nëpër shtëpitë e Botës me qira dhe vetëm për arsye të fëmijëve që duhet shkolluar. Aq më tepër kur djali është me probleme shëndetësore – nuk dëgjon dhe nuk flet mirë. Jam e detyruar që ta dërgojë me një shkollë private që është speciale për fëmijë me të meta. Është e pamundur të jetojë diku tjetër. Ne në vitin 2003 u vendosëm në një banesë në Tiranë, duke e ditur që ajo banesë ishte e jona. Prej tetë vitesh, ne jetuam aty në atë banesë ku dhe u rritën fëmijët. Dhe siç e përmenda, në korrik të vitit 2011 u detyruam që të dalim nga ajo shtëpi. Ka qenë një moment shumë i vështirë që do të dilnim nga shtëpia”, potencon Rabije Myrta, bashkëshortja e Komandant Telit.

Përveç hallit për të siguruar kulm mbi kokë, familja e dëshmorit Lefter Goxhaj ballafaqohet edhe me shumë probleme dhe sfida të tjera. Djali i tij, Letjani që nga lindja ka lindur me të meta, kurse bashkshortja ka pësuar probleme shëndetësore pikërisht në momentet e largimit nga shtëpia.

“Djali ka pasur probleme me dëgjimin qysh kur ka qenë i vogël, nervin e dëgjimit e ka të dobët dhe të dëmtuar. Vazhdon të mbajë aparatin e dëgjimit. Po ashtu, edhe në të folurit ka probleme. Me ndihmën e njerëzve human, kur ishte 4 vjeç, e dërguam në Zvicër, i kemi bërë një kontroll atje ku dhe i vendosën aparatin e dëgjimit. Por prapë ka probleme me dëgjimin, ka dhembje koke, ka stres, me një fjalë ai fëmijë do përkushtim”, thotë Rabija, bashkëshortja e Komandant Telit. Edhe për këtë rast, por edhe për raste të tjera, sipas dëshmisë së saj, mbështetja institucionale ka munguar për familjen e Komandant Telit. I vetmi që u është gjendur pranë, pas largimit nga banesa në Tiranë, ka qenë kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi. Ky i fundit, për disa muaj me radhë ka vazhduar të paguajë qiranë e shtëpisë ku aktualisht është e vendosur familja e Komandant Telit. I është premtuar mbështetje nga Qeveria e Kosovës, por deri tash ende nuk është zyrtarizuar asgjë. “Edhe Qeveria e Shqipërisë, ajo e Kosovës dhe e Maqedonisë, deri tash nuk na janë gjendur pranë. Na janë gjendur një pjesë e shokëve të Telit që kanë pasur dëshirë të ndihmojnë familjen e tij”, thotë ajo. Bashkëshortja e Telit, Rabija bashkë me dy fëmijët, djali Letjanin dhe vajzën Rexhinën, këto ditë qëndrojnë në Maqedoni. Janë duke kërkuar lëmoshë për tejkalimin e situatës së re të krijuar në familjen e tyre – mungesën e vendbanimit.

“U drejtohem atyre burrave të luftës, e në veçanti atyre që kanë përjetuar çaste të vështira, që e dinë se çka është lufta, që e dinë se çka është dhembja, që e dinë dhe e mendojnë më shumë se të tjerët kur mbetesh dhe rritesh jetim, që të kthejnë kokën nga ne, me ato pak mundësi që kanë – të na ndihmojnë që edhe ne të kemi një kulm mbi kokë, që edhe fëmijët e Telit të kenë një shtëpi të tyren dhe që mos të trokas nëpër derë të huaja. Që të rriten dhe shkollohen si gjithë fëmijët e tjerë”, thotë e përlotur Rabija.

Lefter Goxhaj, i njohur në luftërat e Kosovës dhe Maqedonisë si Komandant Teli, është i lindur në fshatin Nishan të Skraparit. Ishte pjesëtar i dalluar i njësitit për kryerjen e detyrave speciale “Brisku” në Shqipëri, po ashtu edhe në luftërat në Kosove dhe në Preshevë. Kulminacioni i trimërisë së tij arrihet në luftën e 2001- shit, ku si Komandant i njësisë speciale “Teli”, mbetet legjendë e paharruar e kombit shqiptarë. Me strategjinë dhe shkathtësinë që tregoi në luftimet nëpër betejat më te ashpra si në Sllupçan, Mateç dhe Haraçinë, u bë i njohur dhe i dashur për të gjithë ata që ishin bashkë me atë. Më 7 gusht 2001, u vra ne një tradhti me pesë bashkëluftëtarë të tij në Gazi Babë të Shkupit. Ka lënë pas vetës gruan Rabijen dhe dy fëmijët, djalin Letjanin dhe vajzën Rexhina, ndërkohë që i ati Lutfiu dhe nëna Lirie, jetojnë në fshatin e lindjes Nishovë të Skraparit, shkruan Koha.

Mundësia për t’i ndihmuar

Kush dëshëron të ndihmojë familjen e Komandant Telit, ju kujtojmë se familja e tij ka këto numura llogarie:

Kodi SWIFT: FEFAALTR
Emri i bankes: ProCredit Bank , Albania
IBAN: AL15209111080000103178050102 (per transfertat ne Euro)

Telefona mobil: +355-684-628-930 (Shqipëri)

+389 76 985 099 & +389 76 985 100 (Maqedoni)

TRADHETIA E DYTE NDAJ KOMANDANT TELIT

[new.gif]


TRADHETIA E DYTE NDAJ KOMANDANT TELIT

Nga KOLEC TRABOINI

Vendimi absurd i organeve gjyqësore të Tiranës, të njohura tashmë për drejtësinë e cunguar dhe korrupsionin, siç me të drejtë vë në dukje një anketim i ditëve të fundit nga një qendër studimore, për flakjen në rrugë prej një banese që ka qënë bazë e UÇK-së të familjes së luftëtarit të shquar, Dëshmor i Atdheut, Komandant Teli, ka gjetur jehonë të gjerë në opinionin publik në Kosovë e Maqedoni. Mediat shqiptare të Prishtinës e Shkupit i kanë kushtuar një kujdes të veçantë. Janë me qindra lexues që në komentet e tyre shprehin indinjatën për këtë vendim absurd që po ndodh në Tiranë nën indiferencën totale të mjeteve të informimit, por edhe të autoriteteve shqiptare.
Nuk gjen as një gazetë apo stacion televiziv në Tiranë të ketë trajtuar këtë problem sikur ajo çfarë po ndodh nuk është në mes të kryeqytetit, por diku në ndonjë pikë tjetër të globit. Bashkëshortja e Komandant Telit është përpjekur të takojë autoritetet shqiptare, por ka qenë e pamundur, nxirren njëqind arsye për të shmangur takimet, duke thënë madje edhe se axhenda e aksh titullari është për tre muaj e zënë, apo edhe më keq kur në Këshillin e Lartë të Drejtësisë e përcjellin tek një zyrtaruc i vogël i cili e këshilloi të bëjë një ankesë tek një avokat (kur avokatët e saj e braktisën çështjen), e të bëjë kështu e ashtu, sikur të mos e kuptonte se gjendja është e jashtëzakonshme dhe nuk është një proçedurë që kërkon ditë pa fund, sepse fëmijët nuk mund të rrinë në rrugë.
Pse hesht shtypi shqiptar, çfarë problemesh ka media më të rëndësishme se jetët njerëzore. A e dinë këto media çfarë flitet në popull. Se dikur para disa vitesh një prej qeveritarëve të lartë i dhuroi një këngëtareje një apartament për “kontribut” shoqëror. Se çfarë kontributi ka qënë ai një zot e di, por njerëzit e dinë mirë e flasin për ca gjëra të çuditshme deri në kufinjtë e intimitetit. Tani kjo medja të na shpjegojë se cili kontribut qenka më i rëndësishëm, ai i një këngëtareje me vokalica nëpër koncerte qeveritare apo të japësh jetën për Atdhe. E megjithatë kjo paçavure media hesht. Kjo media e përdalë, kjo prostitutë ideologjike nuk i dhemb fare se çfarë ndodh me njeriun. Nuk i dhemb fare se heroin e UÇK-së po e vrasin tradhtisht për herë të dytë, po kësaj radhe jo në Gazi Babë të Shkupit, por në mes të Tiranës nën indiferencën e tërë hallkave e strukturave të shtetit shqiptar.
Kjo Tiranë me mediat e veta sikur jeton në delire, sikur nuk është pjesë e realitetit, por fluturon në qiej të trëndafiltë. Për këtë Tiranë ka shumë rëndësi se si një këngëtare e shpullosi kolegen e saj dhe mbushen gazetat, apo se si u bënë gjyqet e qyqeve të komunizmit e si ja rrasën njëri tjetrit ujqit e Byrosë Politike(bythë e plasur). Për këtë Tiranë që mendohet të jetë truri e zemra e Atdheut kanë më shumë rëndësi se kush do ta marrë atë dreq kolltuku të kryetarit të bashkisë dhe jo se kush prej kandidatëve do të ishte potencialisht më i mirë për të zgjidhur problemet e hallet e popullit. Sepse e di mirë media shqiptare se Kryetarët në Shqipëri nuk zgjidhen fare për popullin, por për të bërë pirueta politike. Nuk zgjidhen njerëz që i vënë gjoksin punës, por ata që dinë të bëjnë allishverishe e korrupsione marramendëse.
Kjo Tiranë kryeneçe nuk do të dijë fare për ndjesi atdhetare e njerëzore por veç për kurvëritë politike, aq sa lë pa mend për indiferencën e saj edhe edhe kryetarin e organizates se veteranëve të luftës OVL të UÇK-së në Maqedoni, Besim Hoda, i cili me ta marrë vesh këtë skandal të gjyqit absurd të Tiranës, erdhi pranë familjes duke i premtuar të bëjnë ç`të jetë e mundur që kjo familje të mos dalë në rrugë të madhe, se është një turp kombëtar. Por, ai tha gjithashtu një gjë të vërtetë e fort therëse e tronditëse: - Do të përpiqemi ta zgjidhim këtë çeshtje në mes të Shkupit e Prishtinës se nga Tirana nuk kemi asnjë shpresë. E vërtetë përvëluese, drithëruese dhe tronditëse. Tirana që duhej të ishte qendra e shqiptarëve atdhetare të gjithë botës është bërë një fole karrieristësh, mafiozësh, të korruptuarish, që bëjnë luftë të përbindshme për kolltukë, që nuk flasin asnjë fjalë për ekonominë, por për ideologjinë shterpë sikur këtu të ishte kërthiza politike botës. Me të drejtë i madhi Aristidh Kolia ka thënë, jo shumë kohë para se ta vrisnin grekët në 2000, se Tirana e ka humbur shansin historik të bëhet kryeqendra e shqiptarizmës e se kjo tashmë do ti takojë Prishtinës. Ky realitet është mjerimi i gjallë i politikave mediokrre dhe i politikaneve tartabiqë që janë kthyer në parazitë kombëtar. Sikur të bëhej një analizë për bagazhin intelektual e krijues të deputetëve të parlamentit shqiptar do të kishim kurrgjë më shumë se një grumbull statistikash të një grupimi amorf në nivelin e kryesive të koperativave bujqësore socialiste të monizmit. Dihet se shumica e deputetëve janë injorantë, të pasuruar vrullshëm nëpër punë të pista, nëpër llagëmet e shoqërisë dhe i kanë marrë diplomat me ryshfete apo të blera, kusuri me tarafe. Ky soj deputetësh pa pike personaliteti shoqëror, nuk e kanë për gjë të dalin nëpër metingje duke hëngër fara luledielli në mes të një shoqërie ordinere, kjo skotë me kostum e me kollaro nuk e kanë për gjë të shahen e të shtyhen në parlament apo kafeneve si karrocierë apo brigadierë zifti.
Pas gjyqit skandaloz të Tiranës që mund të bëhej veç në vendet afrikane, apo diktatoriale ku pala ndaj të cilës bëhet ankimi nuk thërritet, vjen absurdi tjetër që zyra e përmbarimit e shtyn edhe 4 ditë e të thotë me datën 6 korrik, dua çelësat e shtëpisë të blerë me paratë e UÇK-së prej deputetit të Vetvendosjes Florin Krasniqi, ndryshe bashkëshorten e dy fëmijët e vegjël të dëshmorit të Atdheut, komandant Teli, do t`i nxjerrim me police nenkuptohet me dhunë. Por këta trushkulurit e përmbarimit nuk e kanë thënë nëse policët ndaj fëmijëve a do të përdorin armët nëse ata nuk pranojnë të dalin në rrugë. Nuk u kanë thënë gjithashtu a do përdorin plumba luftarakë apo mësimorë nëse lind nevoja. Çfarë do të bëjë ky përmbarim e kjo polici nëse familja e Dëshmorit të Atdheut refuzon të dalë sepse bashkëshortja e komandant Telit na tha këtë fjalë me porosi për t`ia drejtuar medias në Prishtinë e Shkup, sepse medias shurdhe të Tiranës është kot t`i flasësh: “Nëse ndonjë tradhtar që vrau Komandant Telin në 2001 po e nxit tërë këtë histori e barbarizëm ndaj familjes së tij sot pas 10 vjetësh, po ju themi: Nuk dalim! Të paktën unë gjallë prej këtej nuk dal sa kohe që gjyqi nuk bëhet publikisht i hapur dhe në praninë time Ejani dhe na vrisni. Plotësoni çfarë keni lenë përgjysëm. Vriteni për herë të dytë Komandant Telin, sepse nuk paskeni të ngopur me tradhtinë e mizorinë tuaj. I bëjmë thirrje Ali Ahmetit të mos bëjë sikur nuk po di çfarë po ndodh me ne, por të bisedojë me Prishtinën dhe të gjej një zgjidhje e të mos ndodhë sërish ajo çfarë ndodhi në Gazi Babë që është plagë në zemrën e çdo shqiptari në Maqedoni.”
Padyshim se vëmendja e shumë njerëzve është drejtuar nga formacioni politik që drejton Albin Kurti, shumë ish luftëtarë të UÇK-së po kërkojnë në komentet e tyre në faqet elektronike të medias që të distancohet prej deputetit të partisë së tij, Florin Krasniqi, nëse nuk gjen mirëkuptim në zgjidhjen e problemit. Por Albin Kurti po hesht. A nuk po e kupton Albin Kurti se u ka dashtë të jetë tek kjo familje ne Tiranë me t`u botuar lajmi i parë për bëmat e deputetit të tij. Të vinte të shihte çfarë po ndodh, e jo të lëshonte ithtarët e tij duke e konsideruar tërë këtë si një manipulim politik i partive të tij kundërshtare. Nuk po e kuptojmë këtë heshtje të tij, kur ai përdor në mitingje aq shumë sllogane nacionaliste për Bashkimin Kombëtar. Po komandant Teli ishte luftëtar i kësaj ideje të madhe e për këtë dha jetën. Me të drejtë njerëzit në Tiranë, Prishtinë e Shkup po pyesin mos vallë disa forca politike po spekullojnë me ndjesitë kombëtare të njerzve dhe i përdorin ato për qëllime demagogjike populiste. Por politika të ketë kujdes se nuk luhet lojë kukafshehti me ndjenjat atdhetare të shqiptarëve.
Heshtja nga media e Tiranës, nga autoritete zyrtare dhe partia e Vetvendosjes tregojnë se në thelbin e tyre nuk ka kurrgjë kombëtare, se janë si tollumbacet ku vizatohen simbolet e shqiptarizmit dhe lëshohen t`i marrë era në qiell.
Kush dëshëron të ndihmojë familjen e Komandant Telit, ju kujtojmë se familja ka këto numura llogarie:

Kodi SWIFT :FEFAALTR
Emri i bankes :ProCredit Bank , Albania
IBAN : AL15209111080000103178050102 (per transfertat ne Euro)

Nr.telefonit cel. +355-684-628-930
Te gjithe emrat e dhuruesve do te botohen tek faqja elektronike e komandant Telit
http://komandant-teli.blogspot.com/

Kryetari i Parlamentit të Kosovës ka komunikuar me familjen e Komandat Telit

NEWS -by GIKT - Grupi Investigativ Komandant Teli on Wednesday, June 29, 2011 at 12:27am

Kryetari i Parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi.

NJOFTIM

Mbas jehohës që ka ngjallur në media publikimi i ngjarjes së dhimbshme të flakjes në rrugë të familjes dhe fëmijëve të Komandant Telit, Kryetari i Parlamentit të Kosovës i nderuari z. Jakup Krasniqi ka komunikuar në telefon me familjen e Dëshmorit dhe i ka shprehur shqetësimin e tij për situatën e krijuar dhe shpresën që gjërat do të zgjidhen.

Familja e Komandant Telit falenderon Ambasadën e Kosovës në Tiranë për pritjen dhe përcjelljen e shqetësimeve të kësaj familjeje në Prishtinë.

GIKT - Grupi Investigativ Komandant Teli

BESIM HODA NE FAMILJEN E KOMANDANT TELIT


BESIM HODA NE FAMILJEN E KOMANDANT TELIT

Besim Hoda, kryetari i organizates se Veteraneve te Luftes se Ushtrise Clirimtare Kombtare ne Maqedoni ka udhetuar nga Shkupi ne Tirane per tu njohur me gjendjen teper shqetesuese ne familjen e Komandant Telit. Ai eshte takuar me familjaret e Komandant Telit dhe ka premtuar te jape ndihmesen e organizates se tij. Ky eshte nje shembull me te vertete pozitiv per ato shoqata qe vegjetojne neper ujra te ndenjura dhe vetem emrin kane si te tilla. Se ta zeme a ka shoqata qe mbrojne femijet jetim, ku i cojne donacionet qe marrin, a ka shoqata grashe, pse nuk ndjehen fare ne kete ceshtje kardinale dhe teper jetike, qe nje familje deshmoresh te jete pa shtepi e pa pune. A kane ndonje vlere humanizmi nder shoqatat tona apo jane vetem per perfitime te cilat burojne por nuk dihet ku firaksen.
A ka te drejte Deshmori i Atdheut atje ne varrin e ftohte te thote (qofte dhe poetikisht) paska qene mallkim te vritem per kombin tim.
Kesisoj mund te veprojne vetem kombet qe kane destinen e pashmangshme te harrimit dhe shuarjes

Lajmi nga GIKT
Grupi Investigativ Komandant Teli


LETER E BASHKESHORTES SE KOMANDANT TELIT PER OPINIONIN PUBLIK

Komandant Teli në Betejen e Haraçinës, beteja më e lavdishme ku 300 shqiptarë si të ishin spartanët e historisë përballuan një shtet me tanke e avion e artileri supermoderne dhe jo vetëm që nuk u mposhtën, por trimat shqiptarë dolën edhe fitimtare.Ende pa u mbushur dhjet vjet nga rënia e këtij kryetrimi, i hidhen femijet në rrugë.

LETER E BASHKESHORTES SE KOMANDANT TELIT PER OPINIONIN PUBLIK
GJITHASHTU PER AUTORITET SHQIPTARE NE SHQIPERI, KOSOVE DHE MAQEDONI

Tiranë 27 qershor 2011


Ju drejtohem Ju i nderuar Popull im, ju drejtohem Ju, Burra të Luftës bashkluftëtarët e burrit tim. Ju drejtohem të gjithë Juve bashkëkombasit e mi kudo ku ndodheni në trojet etnike dhe gjitha skajet e Globit, të gjithë atyre që e ndjejnë veten shqiptarë dhe atdhetarë. Ju drejtohem Ju, nënave shqiptare që dini ç`është dhimbja, ç`është gjaku i derdhur i bijve për kombin e larine, që edhe ju ta thoni fjalën tuaj. Ju lutem veproni, sepse sot unë, bashkëshortja e dëshmorit të Atdheut Komandant Teli dhe dy fëmijët tanë kemi nevojë më shumë se kurrë për ju.
Sot unë dhe dy fëmijët e mi të vegjël të mbetur jetimë, në gjendje të papunë e pa përkrahje, jemi tragjikisht në rrugë të madhe, diku në Tiranë pranë Bulevardit “Bajram Curri”. Pa çati mbi kokë dhe me lot në sy po na merret nëpër këmbë dinjiteti prej disa njerzve që dinë si ta vërtisin ligjin e të na na përdorin si mish për top.
Në vitin 2003 Komandantët dhe Shtabi i UÇK-së duke parë gjendjen tonë vendosën që të na ndihmonin në kujtim të bashkluftëtarit të tyre të rënë, i cili tregoi aq trimëri gjatë luftës, që u bë aq i dashur për shqiptarët e Maqedonisë sa edhe sot e kujtojnë me dashuri dhe i thurin këngë, vendosën pra, që shtëpinë bazë të luftës së UÇK-së në Tiranë të na e dhuronin.
E gëzuam këtë shtëpi 8-vjet, kur papritur një tufë burrash nga Kosova ia behën dhe pa pritur të sqarohen se cilët ishin, ai që i printe na tha: - “Zonjë kjo banesë është e imja!”
Ata nuk dinin as në emër të kujt është kjo banesë, as sa dhoma ishin e të tjera dhe si ikën këta, pas tre ditësh, në mes të acarit na vjen Florin Krasniqi (sot deputet i Vetvendosjes në Parlamentin e Kosovës) dhe na deklaron që banesa ishte në emër të tij. Unë iu përgjigja se banesa nuk ishte në emrin e tij dhe ai më paraqiti dy fatura nga shoqata bamirëse që i kishin dhënë të hollat. Unë iu shpjegova se në këtë shtëpi më kanë futur ish-komandantë të UÇK-së, mirëpo me djallëzitë e tyre këta shpirtzinj nuk kishin pushuar nga intrigat e tyre, kishin bërë gjyq në mungesën tonë dhe pa na njoftuar në kundërshtim me ligjet shqiptare të drejtësisë.
Papritur një ditë, me aktin e ekzekutimit për të dalë nga shtëpia, na vijnë 30 veta, të dërguarit e deputetit Florin Krasniqi, duke na kërcënuar që të dalim nga shtëpia edhe pse jemi në çështje gjyqësore të hapur.
Sot që po ju shkruaj këtë letër, mua me dy fëmijët e mi, policia e përmbarimit më kanë kërkuar të dal në rrugë të madhe sepse ne jemi pa mbrojtje.

Ne u dashkemi vetëm atëhere kur duhet derdhur gjak për këtë komb e për këtë popull. Përtej kësaj ne jemi të humbur, pa përkrahje, jetime, të pastrehë, të papunë e nën mëshirën e fatit. Po a e meritojmë ne këtë? A e meriton bashkëshorti dhe babai atje në varr këtë shpërblim mizor për sakrificën e tij sublime.
A e dini të dashur bashkatdhetarët e mi cila është letra që i ka dërguar Komandant Teli, fëmijëve të vet vetëm pak ditë para se të binte dëshmor i Atdheut? I shkruante: “ Ta doni nënën, ta doni njëri-tjetrin, por mbi të gjitha ta doni Atdheun. Edhe sikur të mos kthehem një ditë, Atdheun do ta keni si prind!” Po tani që na nxorrën në rrugë, çfarë do t`i thonë fëmijët e mi babait të tyre tek varri.
Fjala ime e fundit plot dhimbje është kjo:
Na ndihmoni! As familjet e dëshmorëve, as fëmijët e tyre dhe as dëshmorët, ata që pushojnë në panteonin e atdheut, nuk e meritojnë këtë barbarizëm!


Bashkëshortja e Komandant Telit
me dy fëmijët.