HESHTJA E SHTABIT- FRIKE APO TRADHTI?


HESHTJA E SHTABIT- FRIKE APO TRADHTI?

Masakra në Gazi Babë, Shkup 7 gusht 2001
e quajtur nga populli dhe ish luftëtarët "Tradhtia e madhe"

Dy pistat e vrasjes së Komandant Telit me 5 bashkëluftatarët e tij, pra vrasje politike apo hakmarrje personale me derivatin e tretë ku këto pista si dy shina treni bashkohen fatalisht e tradhtisht e krijojnë tragjedinë, ekziston dhe janë të besueshme në të treja këto aspekte, sa kohë që nuk është zbardhur e vërteta dhe sa kohë që ata që ishin direkt apo indirekt, me dëshirë apo pa dëshirë, me faj apo pa faj ishin të implikuar në këtë ngjarje.
Por së pari të flasim për rrethanat që janë si një prolog tragjik i orëve të para të mengjezit të 7 gushtit 2001 në Gazibabë të Shkupit.
Ish koha kur kishin nisur bisedimet për paqe dhe kishte një farë statukuoje armëpushimi, në pritje të një marrëveshje të ndërmjetsuar nga ndërkombëtarët. Le të kujtojmë gjithashtu dy presionet që u janë bërë Shtabit të UÇK-së nga ndërkombëtarët dhe shteti maqedon që armëpushimi e paqja do të ketë si kusht dorëzimin e armëve dhe dorëzimin e atyre që ishin përzier në krime. Kjo e fundit ka qënë një lojë dinake sepse në këtë klauzolë përfshiheshin të gjithë, se fundja ku ka luftë pa krime, vetë lufta në aspektin human është një krim se vret. Pra duke lozur me këto fjalë me siguri që atyre që negoconin u janë parashtruar këto kushte me presion.
Pa hyrë në hollësi se si e pse u nis Teli në Shkup, pse ai dhe jo një tjetër, (që do të shqyrtojmë në një shkrim në vete) mund të themi se nisja fatale e Komandantit Telit, luftëtarit më të sprovuar për në Shkup, i ka të gjitha mundësitë të ishte edhe në kuadrin e dorëzimit të atyre që quheshin se kanë bërë krime, gjithnjë sipas pikpamjes së maqedonasve mbi krimin kur ata vetë kishin bërë krime të përbindëshme mbi shqiptarët e nuk po i hynte ferra në këmbë.
Emrin e Telit e kanë vënë në krye në kerkesat e tyre, sepse ai ka qënë tmerri i ushtrisë e policisë maqedonase. Vetëm me një aksion personal pa pyetur për shtab-komandën, Teli me shokët e vet besnikë të njësitit vrau brënda një nate 30 ushtarë maqedonë.
Pra, thënë hapur, duke patur urrejtjen e shfrenuar të maqedonasve dhe armiqësinë e disa antarëve të shtabit (jo më kot shtabistët kishin nxjerrë urdhër për ta arrestuar por komandantin e mbrojtën ushtarët e UÇK-së) ai ka qënë i skeduar për tu sakrifikuar. A ka këtu një skenar. Janë të gjitha mundësitë. Por atij që më shumë i ka dhëmbur kjo histori ka qënë padyshim Komandant Hoxha-Nezir Shaqiri tek i cili Komandant Teli kishte besim të verbër,besim që në rrethana lufte ishte motivuar sepse Komandant Hoxha e ka ndihmuar Telin në konfliktet që ishin krijuar me Komandant Malen- Maliq Ndreca. Por Komandant Hoxha, miku i Komandant Telit, i cili e ngarkoi atë me misionin e Shkupit nuk flet. Dhe duke e njohur mirë psikologjinë e ish shtabistëve e rrethanat që janë krijuar janë gjasat që megjithë deklarimet se ai do te flasë kurrë nuk e ka hapur gojën për të thënë të vërteten. Dhe gjasat janë që nuk ka për të folur kurrë sepse në këtë punë janë mpleksur edhe të tjerë. Komandant Hoxha nuk thotë as se kujt ja ka besuar sekretin e lëvizjes së Telit për në Shkup. Më tej a i ka lajmëruar eprorët e tjerë për këtë mision, të cilët, mbase të lodhur nga lufta do të kenë vënë duart në kokë të tmerruar. Dhe dihet pse. Një aksion i Telit në Shkup do të ishte një veprim që do të terhiqte vemendjen e ndërkombëtarëve dhe statukoja do të prishej.Ata me këtë rast do të gjëndeshin nën akuzë prej ndërkombëtarëve. Pra vetë shtabi e inicoi nisjen e Telit në Shkup dhe vetë ky shtab e denoncoi.
Eshtë njësoj sikur ti japësh dikujt një bombë për ta vënë diku dhe pas tre kater hapave ta plasësh bombën me telekomandë në duart e njeriun të cilit ja ke dhënë. Krejt kështu ka ndodhur me këtë mision të inicuar nga shtabi. Tani çfarë mund të themi e ka vrarë bomba njeriun apo e vranë ata që inicuan shpërthimin?!
Natyrisht këtu në sakrifikimin e këtij luftëtari legjendar mund të kenë ndikuar edhe disa rrethana të pafavorëshme për të. Në një kohë të shkurtër ishte bërë një komandant i lavdishëm. Ka fakte që ushtarët maqedonas sa i afroheshin rajoneve të çliruara të UÇK-së, me të dëgjuar një krisëm pushke, ktheheshin me vrap duke thënë në gjuhën e tyre “Të ikim se po vjen komandant Teli”.
Nga ana tjetër armiqësia personale ndaj tij dhe cmira për lavdinë e krijuar. Por një gjë dihet, për Komandant Telin ushtarët e njësitit të tij, por edhe më gjërë, linin kokën sepse ai ishte jo vetëm trim i jashtëzakonshëm por edhe shumë njerëzor. I donte e i mbronte luftëtarët e thjeshtë ndërkohë që kishte ndonjë komandant famekeq që i rrihte. Kjo nuk është një shpifje por dëshmi e ish ushtarëve të UÇK-së.
Pra të gjitha pistat të çojnë në Shtab dhe jo tek një kokë e vogël shtabi por në kokat më të mëdha. Ata e nisën dhe e bitisën atë aksion turpi. Kurrësesi njësiti i Telit nuk shkoi në Shkup me inisiativen e vet por mori detyrë dhe ata që i dhanë atë detyrë kishin një platformë.Po pse nuk e thonë se cili qe qëllimi. Një zë është, por ai nuk vjen nga shtabi por nga një luftëtar i thjeshtë që thotë se kishte në shtab që donin të dërgonin njësitët në Shkup sepse nuk pranonin dorëzimin e armëve. Po nëse nuk donin dorëzimin e armëve, ku mund të ishin më të sigurta armët në duart e luftëtarëve në Slupçan, Mateç, Likovë, Hotelë apo në Shkupin e kontrolluar aq rreptë nga policia maqedone?
Do të thosha, pa pikë droje se e tejkaloj kufirin e respektit ndaj këtyre figurave të nderuara se, pse nuk është pronuncuar asnjë herë për çka ndodhi Gëzim Ostreni? Pse as Faslli Velija nuk dimë të ketë bërë ndonjë aludim a të ketë ngritur zërin për të akuzuar dikë.A për tu thënë se keni gabuar dhe keni marrë në qafë njësitin me 6 luftëtarë. Thuhet se është bërë një hetim nga shtabi, por një hetim në të cilin janë përfshirë vetë ata që e dinin misionin e dekonspiruar të Komandant Telit dhe njësitit të tij.
Ali Ahmeti as nuk vihet në dyshim që nuk do të flasë kurrë për këtë çeshtje sepse është vezë e nxehtë nën sqetullat e politikës E çfarë mund të thotë? As komandant Hoxha që ka çfarë të thotë nuk ndjehet.Sikur asgjë të mos kish ndodhur. As Maliq Ndreca nuk ka çfarë të pohojë për armiqësine e tij të çuditshme me luftëtarin më të spikatur të UÇK-së për Maqedonin. Mendojmë se gjithë këta shtabistë anipse tashmë të përçarë politikisht u ka plasur grindje e sherri me njëri tjetrin, në një gjë janë të një mendje e të një bese, të mos kujtojnë litarin në shtëpinë e të varurit. Të gjithë heshtin. I vetmi që foli dhe akuzoi antarët e shtabit për këtë tradhti ishte denoncimi publik i Ridvan Nezirit një luftëtar e komandant i UÇK-së, i cili përfundoi i vrarë në mes të ditës e në mes të Shkupit në vitin 2003. Pra mesazhi ishte i qartë, kush flet vritet, kush ka guximin të thojë të vertetën, kryqëzohet.
Me këtë nuk duam të themi se Ridvan Neziri kishte apo jo të drejtë, por akti i vrasjen së tij e të 3 vetëve të tjerë prej segmente policore në bashkëpunim me shqiptarë që punojnë për policinë e fshehte maqedonase, treguan se hapja e dosjes “Teli “kërkon shumë kokë luftetarësh.
Gjithësesi qoftë e verteta e sado mizorë të jenë në zhdukjen e dëshmitareve duke përfshirë dhe njeri-tjetrin, ata nuk do të mund ta mbulojnë të vertetën. E verteta nuk mund të varroset bashkë me viktimat. Nuk ka varr që e zë të verteten. Vrasja barbare e Telit dhe e shokëve të tij të njësitit në gjumë, para se një akt mizor i falangave maqedonase është një plagë e një turp që do ti ndjekë si hije të gjithë ata që diçka dinë e nuk rrefehen sa të jenë gjallë. Mbase do të rrëfehen në ferr.
Gjithësesi ta analizojmë, nuk kemi në këtë masakër as dhe një fakt se për rrjedhjen e informacioneve ka dorë a është zbulim i shërbimeve inteligjente maqedone, sepse tre personave, që fillimisht dinin ditën orën, vëndin dhe misionin e trimave që u nisën për në Shkup, pra Komandant Hoxhës, Myrteza Islamit,(nën toger), por edhe Milazim Arifit (baba dëshmori dhe luftëtar i UÇK, që pranon të dëshmojë burrërisht çfarë di), nuk besojmë se sherbimi inteligjent maqedonas u kishte vënë ndonjë mikrofon në xhep dhe i përgjonte. Fjala ka dalë nga goja. E goja e ka shitur komandant Telin e njësitin e tij tek sherbimi sekret maqedonas nën pretekstin e evitimit të një akti terrorist, kur në mes të dy palëve në konflikt vendosej paqa.
Pra Teli u bë kurban për paqen që ndodhej në tryezen e Ohrit. Shtabi e shtabistët nuk kanë as dhe një alibi të vetme për tu mbrojtur nga stuhija e 10 vjet fjalë,shqetësime, akuza,mallkime për turpin e madh të tradhtisë së Shkupit natën e 7 gushtit 2001. Ata që e kanë bërë spiunimin e tradhtinë mbase nuk kanë menduar se puna do të arrinte në një masakër të përbindëshme duke i vrarë njerëzit në gjumë, sepse mund tu jenë dhënë premtime se thjeshtë do të bënin neutralizimin e njësitit. Fakti që e kanë propoganduar aq shumë në shtyp këtë masakër, si fitorja më e madhe e maqedonasve mbi UÇK-në, do të thotë se çdo gjë është e parapergatitur. Në tryezen e bisedimeve në Ohër në vend që Gëzim Ostreni a Faslli Velia apo kush tjetër ka qënë atje, të tërhiqej e të riniste lufta, si presion për më shumë të drejta, përkundrazi kanë ulur kokën dhe kanë pranuar një kompromis i cili nuk premtonte më shumë se sa të qënurit të shqiptarëve një minoritet me një farë identiteti, por kurrësesi shtet formues. Nënteksti i triumfit të maqedonasve në Ohër duket botërisht, ju vramë komandantin më të shquar, vramë 6 luftëtarë pa na hyrë ferrë në këmbë, firmosni tani e hidhni vallen tonë se s’ka rrugë tjetër. Dhe ashtu bënë burrat e kombit duke i lënë luftëtarët në baltë. E sotmja tregon më së miri drejtësinë apo padrejtësinë e veprimeve të djeshme dhe parë në këtë sy, Marrëveshja e Ohrit është një dështim.
Sot pas një dekade as në Maqedoni por as në Shqipëri autoritetet shqiptare nuk e zënë në gojë këtë masakër, shtypi e anashkalon, media TV as që e prek sepse është si nje prush nën hi për duart e politikanëve shqiptarë, dhe kështu ata që duhej të konsideroheshin heroj e dëshmorë nuk merren në konsideratë kurrkund as në Tiranë e as në Shkup.
Eshtë t’u thuash këtyre derdimënëve që bëjnë politikë bythabrekë me, more njerëz përse luftoi aq heroikisht Komandant Teli ynë? A ka kush të flasë e të thojë dy fjalë për këto djem, të shprehë dëshpërimin e thellë të babait e nënës së Komandant Telit që jetojnë varfërisht në një fshat të thellë ku bashkohen e ndahen Berati me Skraparin e ku prehen eshtrat e luftëtarit legjendar?
Duke i bërë jehonë kësaj ngjarje “Masakras se Shkupit”, sa tragjike aq të turpshme në të cilën u vranë, Komandant Teli- Lefter Goxhaj nga Nishova e Shqipërisë 33 vjeç, Abaz Beqiri nga Haraçina e Shkupit 38 vjeç e baba i 6 fëmijëve, Ndriçim Kozhaj,nga Librazhdi 30 vjeç, Pajtim Roçi nga Kruma e Hasit 21 vjeç, Arben Bajrami nga Bojana e Shkupit 24 vjeç e Adem Hasani nga Hasanbegu i Shkupit 22 vjeç, nuk duam as të hetojmë e as të zbulojmë duke u vënë gishtin tradhëtarëve, atë le ta bëjë historia dhe populli me qëndrimin përbuzës ndaj tyre, por thjeshtë duam të bëjmë me dije e të tërheqim vemëndjen për një akt të turpshëm e mizor që nuk ka të bëjë me cilësitë e shqiptarit si besa e burrnia, por me pabesinë e tradhtinë e njerëzve pa karakter e pa dinjitet.
Kush hesht sot për këtë masakër, siç kanë heshtur shtabistët prej 10 vjetësh, direkt apo indirekt në opinionin publik dhe para ish ushtarëve trima të UÇK-së, që sakrifikuan shumë e fituan shumë pak, ai pra i heshturi e pranon se është pjesë apo segment i kësaj tradhtie.

© KOLEC TRABOINI
2010

Nuk lejohet kopimi apo ribotimi në shtyp apo në mjete elektronike pa lejen e autorit. Për çdo problem drejtohuni: traboini@yahoo.com

DJEMT E NJESITIT TELI TE MASAKRUAN NE GJUME


Veper mizore e tradhtareve dhe krimineleve te shtetit te shpifur sllavo-maqedon.
Gazi Babe, Shkup 7 Gusht 2001 ora 4: 15 e mengjezit.